Përçarje në LDK? Rama shkarkon Havollin, emëron Pllanën në një prej drejtorive kyçe
Në Prishtinë po thellohet përplasja brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama ka marrë një vendim të papritur për ndryshim në një nga drejtoritë më të rëndësishme komunale, raporton Kosova.info.
Rama ka shkarkuar nga detyra Sokol Havollin dhe në vend të tij ka emëruar Zyhrije Pllana si Drejtoreshë e Investimeve Kapitale.
Në njoftimin e publikuar, Rama e ka vlerësuar Pllanën për përvojën e saj në administratën e Kryeqytetit, duke theksuar se ajo do të udhëheqë projektet zhvillimore dhe investimet strategjike.
“Me një përvojë të dëshmuar në Kryeqytet, znj. Pllana ka qenë pjesë e proceseve kyçe institucionale, duke kontribuar me profesionalizëm dhe përkushtim”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë, ai ka falënderuar Havollin për punën e deritanishme, duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme.
Ky vendim vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe po lidhet me raportet e tensionuara mes Ramës dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku. Burime brenda partisë flasin për një përçarje në rritje, ndërsa shkarkimi i Havollit po shihet si një veprim që mund të thellojë ndasitë brenda LDK-së.
