Për të siguruar para për drogë, u bë pjesë e vjedhjeve
Për botën ilegale të narkotikëve, kolegu Hysni Demaku sjell një rrëfim ekskluziv nga një i ri që emigroi në Suedi për të ndihmuar familjen, filloi përdorimin e drogës nga kureshtja dhe kaloi nga marihuana te kokaina. Për të siguruar para për drogë, u përfshi në vjedhje dhe dhunë me porosi. Sot ka gjetur një jetë jashtë drogës dhe dërgon një mesazh të qartë për përdoruesit dhe prindërit.
Si 18-vjeçar shkoi në Suedi për të punuar dhe për të fituar para për familjen e tij në Kosovë. Por ato para përfunduan diku tjetër. Nga marihuana dhe drogat sintetike, shumë shpejt kaloi edhe te kokaina.
“Herën e parë kur kam marrë kokainë më ka ngrit shumë. Por pas një kohe trupi e kërkonte gjithnjë e më shumë. Shpesh kemi mbetur duke fjetur nëpër stacione, sepse trupi nuk e përballonte. Në fillim kemi vjedhë për të siguruar para për drogë. Merrnim diçka këtu, e shisnim diku tjetër. Pastaj krijohet një rreth – gjithmonë dikush e njeh dikë”.
Por qëndrimi i tij në Suedi nuk zgjati shumë. Autoritetet atje e kthyen në Kosovë. Edhe këtu, ai thotë se në fillim vazhdoi të njëjtën rrugë.
“Ditën e parë që kam ardhur në Kosovë ishte e martë Të nesërmen një person që e njihnim, erdhi në fshat dhe na ‘respektoi’. – Me çka ju respektoi? – Me kokainë. Që ditën e dytë përsëri me kokainë. Nga ai moment vazhdoi çdo ditë. Shkonim në muzikë deri në mëngjes dhe gjithçka përsëritej.”
Sot, pas disa vitesh, ai thotë se nuk është më përdorues i asnjë lloj droge. Madje ka edhe një mesazh për të rinjtë dhe për prindërit.
