Peci: Vizita e shefit të CIA-s dhe mesazhet për Kosovën në kohë krizash ndërkombëtare

Lulzim Peci, një njohës i mirë i çështjeve të sigurisë dhe politikës së jashtme, e cilëson vizitën e shefit të CIA-s, Ambasadorit William Burns, në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, si një zhvillim të rëndësishëm në kohën e tensioneve globale, përfshirë agresionin rus në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme.

Sipas Pecit, kjo vizitë është thelbësore për sfidat e sigurisë në rajon, dhe Departamenti i Shtetit e ka bërë të qartë se politika amerikane për Ballkanin fokusohet në largimin e ndikimit rus, forcimin e partneritetit strategjik me Serbinë dhe përjashtimin e nacionalizmit dhe ndryshimit të kufijve nga opsionet e mundshme.

Peci vlerëson takimet e Drejtorit të CIA-s me Presidenten, Kryeministrin e Kosovës dhe shefin e AKI-së, duke nënvizuar se këto takime kanë pasur mesazhe të rëndësishme për përgjegjësitë e Kosovës në sigurinë rajonale dhe prezencën e trupave amerikane në vend.

Megjithatë, ai kritikon tonet e postimeve në Facebook nga ekzekutivi kosovar pas takimit, duke theksuar se ato mund të kenë kontribuar në erozionin e besimit ndaj Qeverisë së Kosovës në sytë e Washingtonit.

Peci përfundon se marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme mes Kosovës dhe ShBA-ve do të jenë të besueshme vetëm kur këtë ta konfirmojë vetë Washingtoni. /Kosova.info/

Go to TOP