Peci: Fabrika e mbetjeve shtazore iu dha me qira një konsorciumi italiano-kosovar – shpifjet rreth procesit po bien një nga një

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar përmes një sqarimi publik lidhur me akuzat dhe spekulimet rreth dhënies me qira të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore në Drenas. Ai thekson se kjo fabrikë i është dhënë për shfrytëzim një konsorciumi italiane-kosovar dhe se të gjitha pretendimet e deritanishme janë demantuar një nga një.

Sipas Pecit, pretendimi se mungon baza ligjore është hedhur poshtë, ashtu si dhe pretendimi tjetër se subjekti fitues nuk ishte konsorcium. Ai thekson se është respektuar çdo kriter i shpallur publikisht dhe se keqinterpretimet e dokumenteve, përfshirë ato që lidhen me pronën në Ulpianë apo Drenas, janë bërë me qëllim keqinformimi.

Peci i ka cilësuar absurde pretendimet për shtetësinë e aksionarëve duke shtuar se në procedurat ligjore të regjistrimit të bizneseve në ARBK, nuk kërkohet verifikimi i shtetësisë së aksionarëve. Ai sfidon gazetarinë hulumtuese që të gjejë ndonjë shkelje në këtë proces.

“Qeveria nuk mund të diskrimojë asnjë investitor në bazë të përkatësisë etnike apo shtetësisë. Kjo do të ishte racizëm, shkelje ligjore dhe vepër penale”, ka theksuar Peci duke ngritur pyetjen nëse reagimi do të ishte i njëjtë në rast se një shqiptar nga Lugina do të ishte aksionar, por me shtetësi serbe.

Ai ka paralajmëruar se do të jetë i pranishëm në çdo studio televizive për të dhënë sqarime të detajuara lidhur me këtë çështjeje. /Kosova.info/


Go to TOP