“Pecetat nuk janë luks” – Aktivistët kërkojnë heqjen e taksës 18% për produktet menstruale në Kosovë

Në Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, organizata QIKA dhe dhjetëra aktivistë hodhën peceta menstruale të mbështjella me gazeta në shkallët e Qeverisë së Kosovës, për të denoncuar stigmën dhe diskriminimin që gratë dhe personat që menstruojnë vazhdojnë të përjetojnë.

Ky aksion simbolik nxjerr në pah një realitet të hidhur: produktet menstruale vazhdojnë të trajtohen si luks në Kosovë, të tatueshme me normën e lartë prej 18%, njësoj si produktet jo-esenciale. Kjo ndodh përkundër faktit që shumë gra, sidomos ato në varfëri ose me varësi ekonomike nga burrat, nuk arrijnë të përballojnë blerjen e pecetave apo tamponëve.

Për mungesë të mjeteve higjienike të përshtatshme, shumë prej tyre detyrohen të përdorin materiale të pasigurta duke rrezikuar shëndetin e tyre. Ndërkohë, institucionet shtetërore vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje.

“Taksa menstruale mirëmban stigmën!” – është mesazhi i qartë i protestës së sotme. Aktivistët theksojnë se stigmatizimi i menstruacioneve nuk vjen vetëm nga shoqëria, por përforcohet edhe nga politikat fiskale të shtetit.

Në vitin 2023, mbi 7,500 qytetarë nënshkruan peticionin “Peceta nuk është luks”, ndërsa dje, 71 organizata iu bashkuan QIKA-s në një letër drejtuar Ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve duke kërkuar heqjen e taksës për produktet menstruale.

Organizatat paralajmërojnë se mbajtja e kësaj takse përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ato kërkojnë reagim të menjëhershëm institucional dhe trajtim dinjitoz të nevojave të përmuajshme të grave dhe personave që menstruojnë.

“Produktet menstruale nuk janë luks. Janë nevojë. Mjaft i tatutuat si të tillë!”, është kërkesa e drejtpërdrejtë që sot u bëri jehonë nga shkallët e qeverisë në Prishtinë. /Kosova.info/


Go to TOP