Pas rrëzimit të avionit, krerët e shtetit ngushëllojnë popullin e Turqisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për viktimat e aksidentit tragjik të avionit ushtarak në Turqi, ku humbën jetën 20 persona.
Në një postim në platformën X (ish-Twitter), Osmani ka dërguar ngushëllime presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, Forcave të Armatosura Turke dhe popullit turk.
“Ngushëllimet tona të thella për Presidentin Erdogan, Forcat e Armatosura të Turqisë dhe popullin turk pas rrëzimit tragjik të avionit ushtarak. Kosova qëndron në solidaritet me aleatin tonë, Turqinë, në këtë kohë të vështirë,” ka shkruar Osmani.
Presidentja ka përsëritur mbështetjen e Kosovës për aleatin turk, duke theksuar lidhjet miqësore ndërmjet dy vendeve.
Ngushëllime për këtë ngjarje të rëndë ka shprehur edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka theksuar solidaritetin e Kosovës me popullin turk në këtë moment zie.
“Thellësisht të pikëlluar nga rrëzimi i avionit ushtarak turk që mori 20 jetë. Ngushëllimet tona të sinqerta u shkojnë familjeve të viktimave, Presidentit Erdogan, Qeverisë së Turqisë dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo tragjedi,” ka shkruar Kurti.
