Partia Guxo i bashkohet koalicionit me VV-në dhe Alternativën për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Dje, më 29 nëntor 2025, Partia Guxo mbajti mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pas diskutimeve të hapura dhe demokratike u mor një vendim unanim: në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Guxo do të garojë në koalicion të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Alternativa.

Ky vendim, siç u deklarua pas mbledhjes, pasqyron vullnetin e plotë të anëtarëve të kësaj partie për të vazhduar rrugën e reformave dhe për të ruajtur sovranitetin e vendit me çdo kusht. Guxo theksoi se koalicioni synon forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe avancimin e një qeverisjeje të ndershme e përgjegjëse ndaj qytetarëve.

U nënvizua se gjatë mandatit të kaluar janë realizuar shumë punë të mira për vendin, por mbeten ende sfida të rëndësishme, veçanërisht në drejtësi, arsim dhe zhvillim ekonomik. Me partnerët e koalicionit – Vetëvendosjen dhe Alternativën – Partia Guxo shprehu gatishmëri të plotë për të rifilluar punët e nisura dhe për t’i çuar përpara reformat e nevojshme.

Partia Guxo falënderoi të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për diskutimet konstruktive dhe frymën demokratike që karakterizoi mbledhjen duke theksuar se me vizion të qartë, guxim dhe vendosmëri do të vazhdojë angazhimin për Republikën e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP