Paraburgim 30 ditë për të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet A.I., lidhur me vrasjen e dyfishtë në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se “i pandehuri më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 min, në fshatin Golluboc, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M., dhe N.M., duke shtënë me armë në drejtim të tyre.”

Prokuroria sqaron se i pandehuri, i cili është dhëndër i familjes së viktimave, kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të marrë bashkëshorten e tij dhe fëmijët gjatë ceremonisë së varrimit të babait të saj. Gjatë largimit, në rrugë nisi një fjalosje me tani të ndjerët dhe në një moment dëshmitarja I.M., vëllai i së cilës është një nga viktimat, “vëren të pandehurin duke shtënë disa herë me armë të llojit Pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj D.M., e më pas shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër N.M.”

Të ndjerët D.M. dhe N.M. mbetën të shtrirë përtokë nga plagët e marra dhe u dërguan në QKMF Kijevë pa shenja jete. I pandehuri hodhi pistoletën dhe u largua në drejtim të panjohur, ndërsa u arrestua të nesërmen.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.11 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

I pandehuri që nga data 7 nëntor 2025 ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat e lartcekura, ndërsa tani prokuroria kërkon paraburgim 30-ditor. /Kosova.info/


Go to TOP