Papa Leo kritikon nacionalizmin politik dhe lutet për pajtim e dialog

Papa Leo XIV kritikoi rritjen e lëvizjeve politike nacionaliste në botë, ndërsa u lut të dielën për pajtim dhe dialog, një mesazh në përputhje me zotimet e tij për ta bërë Kishën Katolike një simbol paqeje.

Ati i Shenjtë kremtoi meshën e së dielës në Sheshin e Shën Pjetrit, përpara dhjetëra mijëra besimtarëve, dhe iu drejtua Shpirtit të Shenjtë me lutjen që të “rrënojë barrierat dhe të shembë muret e indiferencës dhe urrejtjes.”

“Atje ku ka dashuri, nuk ka vend për paragjykim, për ‘zona sigurie’ që na ndajnë nga fqinjët tanë, për mendësi përjashtuese që, për fat të keq, po shfaqet gjithnjë e më shumë edhe në nacionalizmat politikë,” tha Papa Leo, pontifiku i parë amerikan, pa përmendur asnjë shtet apo politikan në mënyrë specifike.

Papa Leo kujtoi edhe fjalët e Papa Françeskut, i cili, në festën e Rrëshajëve në maj të vitit 2023, pati vërejtur se “në botën tonë jemi të gjithë të lidhur, por ndjehemi të shkëputur nga njëri-tjetri, të anestezuar nga indiferenca dhe të mbytur nga vetmia.”

Papa dënoi gjithashtu luftërat që po përndjekin botën dhe i kërkoi Shpirtit të Shenjtë “dhuratën e paqes.”

“Së pari, paqen në zemrat tona, sepse vetëm një zemër e qetë mund të përhapë paqe në familje, në shoqëri dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare,” tha Papa Leo, dhe më pas u lut për pajtim dhe dialog kudo ku ka luftë në botë.

Që në fillim të papatit të tij, Papa Leo ka premtuar të punojë për unitet dhe paqe. Mesazhi i tij i parë, “Paqja qoftë me ju të gjithë,” vendosi paqen si një shtyllë qendrore të misionit të tij papnor.

Ai ka bërë thirrje gjithashtu për një paqe të drejtë dhe të sinqertë në Ukrainë dhe për një armëpushim në Gaza.


Go to TOP