Pamje: Këto janë dëmet që shkaktuan tërmetet e sotme në Shqipëri

Një tërmet i fortë ka lëkundur mëngjesin e së premtes, fshatin Topojan të Bulqizës aty ku edhe ishte epiqendra e tërmetit magnitudë 4.5 të shkallës Rihter.

Banorët dolën nga shtëpitë të frikësuar, ndërsa vërejtën të çara në mure e kolona.

Të paktën 16 shtëpi janë dëmtuar, ndërsa zyrtarët kanë dalë në terren për verifikimin e situatës pas një mbledhje të jashtëzakonshme të Shtabit të Emergjencave,  të thirrur nga Prefekti.

“Kam dal nga shtëpia. Kam shumë dëm. Është dëmtuar kolona e shtëpisë dhe një pjesë e murit. Nëse shembet kjo kolonë, bie komplet shtëpia në tokë. Kërkoj ndihmë nga shteti. Isha në këmbë, kur ra tërmeti, nxora nënën dhe gruan jashtë.  Shyqyr Zotit nuk pata fëmijët brenda, ishin në shkollë. Deri tani nuk ka ardhur askush të verifikojë dëmet”, tha një banor.

Deri ne mesditë u regjistruan 6 lëkundje të tjera nga Instituti i Gjeoshkencave, te gjitha me epiqendër 12 kilometra nga Bulqiza.

Sizmiologu Edmond Dushi, tha se tërmetet te tilla shkaktojnë dëme.

“Situata në verilindje është aktive në aspektin sizmik, kemi një aktivitet që ka filluar që dje rreth orës 17:00 dhe ka vijuar deri në mëngjesin e sotëm, me tërmetin  e orës 08:10 sipas orës lokale. Deri tani kanë rënë rreth 9 tërmete.”

Go to TOP