OVL-UÇK: Të hetohet gjyqtari që liroi Sekiraqën, i cili më pas dëshmoi kundër luftëtarëve tanë në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me veprimet, siç i quan “të papërgjegjshme” të gjyqtarit Agim Kuçi, i cili kjo organizatë thotë se mori vendim të njëanshëm për lirimin nga masa e arrestit shtëpiak të Enver Sekiraqës.

Kjo organizatë thotë se Sekiraqa është person i dënuar për nxitje të vrasjes së heroit të policisë, Triumf Riza, dhe me histori të përsëritur të veprave kriminale.

OVL-UÇK thotë se vendimi i gjyqtarit Kuçi, jo vetëm që bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe sigurisë publike, “por ka ngritur dyshime serioze se me këtë veprim është lehtësuar ikja e Sekiraqës jashtë Kosovës”.

Në reagim, veteranët e UÇK-së përmendin edhe raportimin se Sekiraqa ka dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Organizata e Veteranëve të UÇK-së e sheh këtë si një akt të rëndë dhe të qëllimshëm që mund të interpretohet si pjesë e një skenari të mirëkoordinuar kundër luftës sonë çlirimtare dhe vlerave që përfaqëson ajo. Të japësh liri një personi me të kaluar kriminale, i cili më herët ka shkelur masat e arrestit, është jo vetëm papërgjegjësi profesionale, por edhe cenim i drejtësisë dhe sigurisë kombëtare”, thotë OVL-UÇK.

OVL e UÇK-së ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe të plotë ndaj gjyqtarit në fjalë dhe të gjithë atyre “që kanë kontribuar në këtë vendim skandaloz”.

Gjithashtu, veteranët e UÇK-së kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të qartësojnë urgjentisht nëse Enver Sekiraqa ka dëshmuar në Hagë dhe çfarë ndikimi kanë pasur veprimet e tij në proceset që zhvillohen ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pastër dhe mbështetur në vullnetin e popullit. Nuk do të lejojmë që ajo të njolloset përmes manovrave të tilla të ulëta që dëmtojnë besimin në drejtësi dhe cenojnë nderin e atyre që luftuan për liri”, u tha në reagimin e OVL të UÇK-së. /Kosova.info/

Go to TOP