Osmani takon Radevin: Bullgaria një mbështetëse e fuqishme e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Hungari në samitin e Komunitetit Politik Evropian, në Budapest, tha se në takim me presidentin bullgar, Rumen Radev, ka diskutuar për bashkëpunimin në politikën e jashtme, në fushën e mbrojtjes, arsimit, si dhe për mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Osmani, në një postim në Facebook, ka shkruar se Bullgaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.
“Bullgaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Me presidentin Rumen Radev, diskutuam për bashkëpunimin në politikën e jashtme, në fushën e mbrojtjes, arsimit, si dhe për mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe”, shkruan Osmani në Facebook.
Presidentja Osmani gjatë qëndrimit në samitin e Budapestit, për tri ditë me radhë, ka takuar liderë të vendeve të ndryshme. /Kosova.info/