Osmani takon Ambasadoren Shea në OKB: SHBA mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në OKB

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në New York me të ngarkuarën me punë të Misionit të Shteteve të Bashkuara në OKB, Ambasadoren Dorothy Shea.

Në një postim pas takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve ndaj Kosovës. “Mirënjohëse për riafirmimin e qartë të Shteteve të Bashkuara se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-ve dhe se aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara,” shkroi ajo.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve strategjike mes Kosovës dhe SHBA-ve, si dhe bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP