Osmani: Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me indinjatë dhe dhimbje pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot, ku një vajzë humbi jetën, ndërsa motra e saj dhe nëna mbetën të plagosura nga dhuna në familje. Ajo e cilësoi këtë akt si barbar dhe alarm të thellë shoqëror duke kërkuar drejtësi të plotë dhe masa urgjente për parandalimin e dhunës në familje.

“Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot… nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore,” u shpreh Presidentja Osmani.

Ajo theksoi se ky nuk është thjesht një krim, por një akt barbar që kërkon reagim urgjent nga të gjitha institucionet, sidomos nga drejtësia. “I bëj thirrje organeve të drejtësisë: veproni me forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës!”

Sipas saj, drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim i çdo rreziku për të shpëtuar jetët e pambrojtura. “Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash. Nuk ka më ‘është punë familjare’ kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie.”

Presidentja përfundoi reagimin e saj me një mesazh të fortë: “Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë! Ngushëllime të thella për jetën e pafajshme të humbur. Lutje për forcë dhe shërim për të mbijetuarat. Dhe zë i lartë për drejtësi!”. /Kosova.info/


Go to TOP