Osmani: Policia jonë, fortifikata e sigurisë në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar me respekt dhe mirënjohje të thellë 24 policët që ranë në krye të detyrës, duke mbrojtur jetën, lirinë, integritetin dhe sovranitetin e vendit.
Osmani tha se Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri, janë heronj të ditëve të sotme, që me guximin e tyre i treguan botës se Kosova nuk përkulet përballë askujt.
“Bashkë me ta kujtojmë edhe 22 policë të tjerë, emrat e të cilëve nuk do t’i mbulojë kurrë pluhuri i harresës. Ata nuk zgjodhën rrugën më të lehtë, por rrugën e nderit, betimit dhe zotimit për atdhe!” tha presidentja.
Ajo theksoi se sakrifica e tyre jeton në çdo uniformë që vishet sot me krenari dhe në çdo hap të Policisë së Kosovës.
“Sot nderojmë jo vetëm rënien e policëve në detyrë, por edhe përkushtimin e mijëra grave e burrave që çdo ditë i dalin zot këtij vendi, me kurajë, përgjegjësi dhe dashuri për Republikën e Kosovës,” tha Osmani.
Presidentja vuri në pah rolin thelbësor të Policisë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës.
“Në kohë paqeje apo tensioni, në veri apo në jug, në çdo pëllëmbë të Kosovës, Policia jonë është fortifikata e sigurisë. Lavdi përjetë të rënëve në krye të detyrës! Faleminderit Policisë sonë, e cila vazhdon ta mbrojë atdheun me besnikëri!”, tha Osmani. /Kosova.info/
