Osmani: Kosova me 89 vota pro dërgon FSK-në në misionin ndërkombëtar në Gaza
Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar me 89 vota pro një vendim të cilin e ka cilësuar si historik, për angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza.
Sipas Osmanit, ky vendim dëshmon unitetin shtetëror dhe përkushtimin e Kosovës për paqe, siguri dhe përgjegjësi globale. Ajo theksoi se ky hap vjen në përputhje me zotimet ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen e nënshkruar më 19 shkurt me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Presidentja theksoi se përmes këtij angazhimi, FSK-ja rreshtohet krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj duke dëshmuar gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësi të barabarta në mbrojtje të paqes globale.
Osmani vlerësoi se ky zhvillim forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, rrit besueshmërinë si partner ndërkombëtar dhe kontribuon në ngritjen profesionale të FSK-së duke e afruar vendin drejt synimit strategjik për anëtarësim në NATO.
Në të njëjtën kohë, ajo u bëri thirrje institucioneve që të ratifikojnë me urgjencë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes duke e cilësuar atë si një mekanizëm të rëndësishëm për koordinimin e misionit dhe forcimin e orientimit euroatlantik të vendit.
Në fund, Osmani shprehu mirënjohje të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe besimin ndaj Kosovës në këtë angazhim ndërkombëtar. /Kosova.info/
