Osmani flet për masat e BE-së ndaj Kosovës: Javëve të fundit disa shtete kanë kërkuar të mbeten masat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se javëve të fundit janë njoftuar se disa shtete kanë kërkuar të mbeten në fuqi masat e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.

Megjithatë, në emisionin “Kallxo Përnime”, ajo theksoi se Gjermania është pro heqjes së masave.

“Qëndrimi i Gjermanisë është qartë pro heqjes së masave. Ketë e kanë bërë publik disa herë, dhe ka qenë një ndër shtetet që më së shumti kanë insistuar që të heqën masat tash e sa kohë. Ky duhet të jetë vendim unanim i BE-së, dhe javëve të fundit jemi njoftuar se herë një shtet herë një tjetër kanë kërkuar të mbeten masat për shkak të pakënaqësive të tyre për arsye të ndryshme”- u shpreh ajo.

Osmani nuk ka pranuar të përmendë këto shtete duke thënë se për shkak të diskrecionit diplomatik është më mirë të mos përmenden.

“Ne na duhet me i bindë ato shtete dhe jo me i sulmu”- ka thënë ajo në intervistën ekskluzive për “KALLXO Përnime”.

Ndërsa, u shpreh që “nuk ka takim, nuk ka angazhim, nuk ka telefonatë, nuk ka samit ndërkombëtar që kjo nuk është çështja themelore të cilën e diskutoj”.

Sipas Osmanit, ndonjëherë për shkak të mospajtimeve të vogla bllokohet vendimmarrja për këtë çështje në BE.

“Ka shumë sentiment kundër brenda Bashkimit Europian, sepse përkundër faktit që Kosova është 100% në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian, qoftë politika të sanksioneve, qoftë vendime të tjera që i merr BE-ja, nganjëherë mezi presin një mospajtim sado të vogël me e gjet që me u blloku vendimmarrja”- ka thënë ajo.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Në Bashkimin Europian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Go to TOP