Organizatat e UÇK-së: Vendim i padrejtë për Pjetër Shalën

Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL), Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehin pakënaqësinë dhe zhgënjimin e thellë me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, e cila ka konfirmuar dënimin ndaj bashkëluftëtarit tonë, Pjetër Shala, duke e ulur atë në 13 vjet burgim.

“Pavarësisht se dënimi është zvogëluar, ne kishim besim të palëkundur në një vendim lirues, sepse besojmë në pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë dhe në drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, ky vendim, në vend se të mbyllë një padrejtësi, e thellon edhe më tej bindjen se kjo gjykatë vepron mbi baza politike, dhe nuk garanton trajtim të barabartë e të paanshëm për luftëtarët e lirisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka nevojë të mbrohet nga e vërteta – e vërteta historike është në anën tonë. Askush nuk do t’i përkulë idealet dhe sakrificën e bashkëluftëtarëve tanë me procese të motivuara politikisht.Liria nuk gjykohet – ajo respektohet!”, thuhet në reagim. /Kosova.info/


Go to TOP