Opozita e FFK-së: Të merren masa ndaj Kuvendit të jashtëligjshëm, po mendojmë t’i bojkotojmë garat

Përfaqësuesi i Dritës, Valon Zymberi ka folur në emër të opozitës së FFK-së, teksa e ka cilësuar si të jashtëligjshëm Kuvendin Zgjedhor të FFK-së. Ai ka kërcënuar edhe me bojkotimin e garave.

Klubet opozitare nuk kanë marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili është duke u mbajtur më herët gjatë ditës (e mërkurë) dhe kryetar u zgjodh Agim Ademi me 42 vota pro dhe një abstenim.

Nga klubet opozitare ishin 15 delegatë që ishin mbledhur sot dhe e kanë shprehur opinionin e tyre të përbashkët rreth këtij Kuvendi, të cilin e bojkotuan pasi e konsiderojnë atë si të parregullt dhe të jashtëligjshëm.

Në emër të delegatëve që mendojnë ndryshe ka folur drejtori i Dritës, Valon Zymberi, i cili mes tjerash ka kërcënuar edhe me bojkotim të garave.

“Sot është dashur të jetë një ditë feste, por nuk ju kanë lejuar as ju mediave të hyni aty. Andaj, më e keqja është cenimi i lirisë së shprehjes, edhe me votë. Ne si grup që mendojmë ndryshe jemi grup që nuk e mbështesim këtë Kuvend sepse opinioni ligjor ka thënë se është i paligjshëm. Në shenjë të respektit të ligjeve të sportit, nuk kemi marrë pjesë në atë Kuvend”, ka thënë fillimisht Zymberi para mediave.

“Neve na është mohuar e drejta elementare e kandidimit të kandidatit tonë Gramoz Vokrri. FFK-ja ka treguar mendësi totalitare. Jemi po ata delegatë që e kemi mbështetur Vokrrin dhe jemi këtu e nuk jemi në atë Kuvend. Do të jemi deri në fund në mbështetje të Gramozit dhe nuk e mbështesim një Kuvend të paligjshëm”.

“Kemi dashur të jemi vetëm delegatët që kemi dhënë publikisht nënshkrime për Vokrrin. Nuk e di a ka ai Kuvend kuorum dhe i ftoj organet ta monitorojnë me kujdes sepse po e mbajnë një Kuvend të jashtëligjshëm”.

Nënshkrimet e 15 delegatëve

Zymberi po ashtu e shprehu dyshimin të ketë pasur manipulime me delegatë, pasi sipas tij, nëse pala tjetër i ka 43 nënshkrime, e 15 janë në opozitë dhe 7-8 të tjerë nuk kanë shkuar në Kuvend, i bie që kalohet numri i 58 delegatëve të mundshëm.

“Kandidati ynë ka qenë legjitim, ja ku mund ta shihni listën me nënshkrime. Duhet të intervenojë MKRS-ja dhe organet përgjegjëse. Në të kundërtën, nëse nuk merren masa nga institucionet, mbetet në opsionin tonë bojkoti i garave”, përfundoi përfaqësuesi i opozitës.

Kujtojmë që klube opozitare ndaj Agim Ademit janw konfirmuar klube si Drita, Prishtina, Trepça ’89, Malazog Hoxha i Lidhjes Rajonale Gjilani, si dhe përfaqësues nga KIKA dhe Vitia. 

Go to TOP