Oliver Ivanoviq përkujtohet në 6-vjetorin e vrasjes

Më 16 janar, në Mitrovicë të Veriut u mbajtën dy ngjarje përkujtimore për të shënuar përvjetorin e gjashtë të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

E para, e organizuar nga familja dhe miqtë, u mbajt në kohën e vrasjes së Ivanoviqit, përkatësisht në orën 08:15, ndërsa e dyta, e organizuar nga partia e tij SDP, në orën 10:00.

Në ngjarjen e parë përkujtimore morën pjesë edhe përfaqësues të partive opozitare nga Kosova dhe Serbia, si dhe përfaqësues të sektorit civil.

Me atë rast, turmës iu drejtua Dejan Nedelkoviq nga Mitrovica e Veriut, i cili tha se Oliver Ivanoviq nuk është harruar. Ai shfaqi shpresën se të afërmve të tij nuk do t’u duhet të mendojnë se “kush e vrau Oliver Ivanoviqin” edhe për 20 vjetët e ardhshëm.

Në ngjarjen e dytë, Ksenija Bozhoviq, ish-bashkëpunëtore e ngushtë e Oliver Ivanoviqit, tha se gjykimi që po i afrohet fundit, nuk tregon se kush e ka urdhëruar vrasjen dhe se vrasësi është ende i lirë.

“Autorët duhet të përgjigjen para drejtësisë, ashtu si edhe organizatorët”, tha ajo.

Në Beograd, përfaqësues të Qeverisë së Serbisë morën pjesë në një ngjarje përkujtimore për Ivanoviqin që u mbajt në tempullin e Shën Savës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “e vërteta gjithmonë e gjen rrugën e saj, sado që disa përpiqen ta fshehin dhe keqpërdorin”.

Koalicioni “Serbia kundër dhunës” paralajmëroi për të martën pasdite protestë në qendër të Beogradit, për të shënuar 6-vjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Go to TOP