Oda e Veterinerëve e Kosovës anëtare e Shoqatës Botërore të Veterinarisë
Oda e Veterinerëve e Kosovës është pranuar në Shoqatën Botërore të Veterinarisë (World Veterinary Association).
Sipas një njoftimi të këtyre të fundit theksohet se, ndihen të lumtur të informojnë OVK-në se, Këshilli i WVA miratoi anëtarësimin themelues të Odës Veterinare të Kosovës.
“Urime dhe mirëseardhje në familjen WVA! Mezi presim të bashkëpunojmë ngushtë me ju”, thuhet në njoftimin e tyre.
E këtë anëtarësim e ka mirëpritur i pari i OVK-së, Arsim Ademi.
“Anëtarësimi i OVK-së në këtë organizatë të rëndësishme, përkon me vizionin e OVK-së për promovimin dhe zhvillimin e mjekësisë veterinare në vend. Andaj jemi të lumtur që OVK-ja po i bashkohet një organizate që i bashkon nën një ombrellë odat apo shoqatat veterinare të shumicës së shteteve të botës”, tha Ademi.
OVK-ja kërkesën për anëtarësim e parashtroi përmes nënkryetarit, Hasan Limani dhe administratorit Mentor Barani, teksa mbahej Asambleja e Përgjithshme e FVE-së, në Maltë.
Vizioni
Shoqata Botërore e Veterinarisë njihet dhe respektohet si zëri i besuar dhe me ndikim i mjekësisë veterinare globale.
Misioni
Të sigurojë udhëheqje globale për profesionin veterinar dhe të promovojë shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin publik, përmes avokimit, edukimit dhe partneritetit.