Obërtinca: Kur shkollës i hiqen kompetencat, dhuna merr fjalën
Profesori dhe ish-drejtori i shkollës, Shyqëri Obërtinca, ka ngritur alarmin për rritjen shqetësuese të dhunës në shkollat e Kosovës duke e cilësuar atë jo më si raste të izoluara, por si një problem serioz shoqëror që po rrezikon sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve.
Në një reagim publik, Obërtinca shpreh shqetësimin e tij të thellë si ish-mësimdhënës dhe drejtues shkolle duke theksuar se mësimdhënësit ndër vite kanë kryer me përkushtim misionin e tyre edukues duke kultivuar te nxënësit vlera njerëzore dhe kombëtare si dija, toleranca, solidariteti dhe atdhedashuria. Sipas tij, sot ata janë gjithnjë e më të pafuqishëm përballë dhunës dhe dukurive negative që po depërtojnë në ambientet shkollore.
Obërtinca identifikon si shkak kryesor të kësaj gjendjeje centralizimin e skajshëm të kompetencave në Ministrinë e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit, si dhe në Drejtoritë Komunale të Arsimit. Ai thekson se për më shumë se dy dekada, shkollave u janë marrë kompetencat vendimmarrëse, përfshirë përzgjedhjen e stafit, masat disiplinore dhe planifikimin buxhetor duke i lënë drejtorët dhe mësimdhënësit pa autoritet real, por me përgjegjësi të mëdha.
Sipas tij, pasojat janë të dukshme: rritja e dhunës, përdorimi i substancave të dëmshme dhe thellimi i delikuencës së të miturve. Obërtinca vlerëson se kjo situatë kërkon veprim urgjent dhe jo deklarata formale.
Si zgjidhje, ai propozon decentralizimin real të kompetencave dhe kthimin e autoritetit te shkolla, rikthimin e psikologëve, pedagogëve dhe punëtorëve socialë në institucionet arsimore, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shkollave, institucioneve shtetërore, Policisë së Kosovës dhe shoqërisë civile.
Në fund, Obërtinca thekson se arsimi duhet të jetë prioritet real i Qeverisë së Kosovës, jo vetëm në fjalë, por në veprime konkrete që përmirësojnë kushtet e punës dhe dinjitetin e mësimdhënësve, si dhe sigurinë e nxënësve.
“Dhuna nuk ndërton asgjë. Ajo lë pasoja të rënda dhe trauma afatgjata, të cilat shoqëria jonë nuk guxon t’i injorojë,” përfundon ai duke cituar Mahatma Gandhin:
“Të mirat që i krijon dhuna nuk zgjasin shumë, ndërsa traumat që i prodhon ajo zgjasin përjetë.” /Kosova.info/
