Nxënësja nga Prishtina fiton medalje të artë në garën ndërkombëtare të matematikës në Zvicër

Në Kloten të Zvicrës u mbajt gara prestigjioze e matematikës “International Abacus Competition”, ku morën pjesë mbi 100 garues nga vende të ndryshme të botës. Në mesin e tyre ishte edhe Luna Vrajolli, vetëm 10 vjeçare nga ShFMU “Mitrush Kuteli” në Prishtinë.

Luna arriti një sukses të madh duke zënë vendin e dytë në garë dhe duke u shpërblyer me medaljen e artë duke e bërë Kosovën krenare në këtë kompeticion.

Luna është vajza e Fjolla Dedinca Vrajollit, kandidate për nga radhët e LDK-së për Asamblenë Komunale të Prishtinës me numrin 48.

E emocionuar pas fitores, Luna tha: “Jam shumë e lumtur që arrita këtë rezultat. Për mua kjo medalje është shpërblim për gjithë përkushtimin dhe ushtrimet e shumta që kam bërë. Falënderoj mësuesen time, Arta Fetoshi, familjen dhe shkollën për mbështetjen, Brainobrain Kosovë. Ky është vetëm fillimi dhe do të punoj edhe më shumë që në të ardhmen të arrij rezultate edhe më të larta.”

Ky sukses i Lunas është një dëshmi e talentit dhe përkushtimit të nxënësve kosovarë në fushën e shkencave, si dhe një motivim për gjeneratat e reja që ta shohin matematikën jo vetëm si lëndë shkollore, por edhe si një mundësi për të ndriçuar në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP