Nuk ndaluan sepse nuk kishin patentë-shoferë – policia i ndjek si nëpër filma dhe i arreston dy persona në Malishevë
Të hënën, policia ka arrestuar dy persona në Malishevë, pasi ata nuk kishin përfillur urdhrin e zyrtarëve policorë që të ndalin veturën.
Sipas policisë, të dyshuarit kishin ikur pasi nuk posedonin patentë-shoferë.
Nysret Gjurkaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës tha se policia iu kishte vënë duke paralajmëruar për ndalje, por të dyshuarit kishin vazhduar të iknin.
“Rreth orës 14:00,derisa patrulla e policisë ishte në pikë kontrolli të automjeteve në rrugën Adem Jashari në Malishevë. Aty kishin kaluar dy persona me veturën e tyre Mercedes. Nga ana e zyrtarëve policorë i ishte dhënë shenjë që kjo veturë të ndalet, por përkundër shenjës së dhënë i dyshuari nuk kishte përfillur urdhërat e ligjshëm të zyrtarit policor por kishte filluar ta rris shpejtësinë dhe ishte larguar nga aty. Më pas patrulla e policisë i ishte vënë pas kësaj veture e që pasi i ishin ofruar në një distancë afër saj edhe e kishin sinjalizuar që të ndalej por nuk kishte ndodhur një gjë e tillë”, tha ai.
Më tej ka bërë të ditur se gjatë arrestimit i kanë fyer zyrtarë policorë, duke rezistuar edhe të prangosen.
“Të dyshuarit kishin vazhduar rrugën deri tek shtëpia e tyre në Malishevë. Kur kishin arritur në hyrje të oborrit të dyshuarit kishin tentuar që të hynin brenda në shtëpi edhe pse ishin paralajmëruar nga zyrtarët policorë që të ndalen. Pas kësaj të dyshuarit ishin arrestuar nga ana e zyrtarëve policorë e që gjatë arrestimit edhe kishin shfaqur rezistencë. Gjatë arrestimit të dyshuarit në vazhdimësi i kishin fyer zyrtarët policorë me fjalë fyese si dhe i kishin kërcënuar me fjalët: ”Keni me pa ju se kush jemi ne, për këtë punë keni me pas punë privatisht me neve”. Këto fjalë kërcënuese kishin ardhur nga dy të dyshuarit në drejtim të zyrtarëve policorë”, u shpreh Gjurkaj.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me vendim te tij dy te dyshuarit ndalen ne mbajtje për 48 orë.