Njëri nga të plagosurit në Pejë jashtë rrezikut për jetë
Dy persona mbetën të plagosur të premten në qytetin e Pejës, pasi një person ka shtënë me kallashnikov në drejtim të veturës ku ishin katër persona.
Pas incidentit, të plagosurit u dërguan për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ndërsa njëri prej tyre u transferua më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas njoftimit të bërë sot nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës, gjendja shëndetësore e personit që po trajtohet në këtë spital është jashtë rrezikut për jetën.
“Në vijim të njoftimeve lidhur me rastin e plagosjes së ndodhur dje, Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton se njëri nga pacientët është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK, ndërsa tjetri po trajtohet në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe aktualisht është në gjendje stabile dhe pa rrezik për jetën. Të gjithë personat e përfshirë në rast janë trajtuar nga ekipet mjekësore të spitalit, në përputhje me nevojat e tyre shëndetësore”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje rreth këtij rasti.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se me armë automatike kishte shtënë në drejtim të veturës me targa vendore në të cilën kanë qenë katër persona meshkuj kosovarë. Si pasojë e të shtënave janë plagosur dy persona në veturë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore dhe janë duke e hetuar rastin”, bëhet e ditur në njoftim.
Nga i dyshuari janë konfiskuar katër armë zjarri si: dy pushkë automatike AK-47 me nga 18 dhe 15 copë fishekë, dy pistoleta njëra me 5 copë fishekë dhe 75 copë fishekë tjerë të armës automatike. /Kosova.info/
