Një mirëseardhje e rehatshme për nënat dhe foshnjat në QKUK
Në katër reparte të Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (KOGj) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u bënë renovime të konsiderueshme, që i përmirësuan kushtet si për pacientet, ashtu edhe për të porsalindurit.
Shërbimet sanitare, kontrollimi i klimës, sistemi i thirrjes së infermierëve janë vetëm disa prej përmirësimeve.
![Kështu duket një banjë në repartet e renovuara në KOGJ.](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-74ea-08dc91286109_w1534_r0_s_d2.jpg)
Mirjeta, që ka sjellë në jetë fëmijën e dytë, thotë se ka vënë re shumë ndryshme nga përvoja e saj e para dy vjetëve, kur ka lindur fëmijën e parë.
“Temperatura në dhomë është konstante. Ka kondicioner dhe dritaret kanë perde. Kur kam qenë atëherë, dhoma ka qenë shumë e papastër, ashtu edhe korridoret e tualetet”, rrëfen ajo.
![Pajisje për sinjalizimin e infermierëve në KOGJ.](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-1645-08dc91287a94_w2395_r0_s_d2.jpg)
Mbi shtratin e Mirjetës ishte edhe një pajisje që ajo nuk e kishte vënë re më herët – për sinjalizimin e infermierëve në rast nevoje.
“Ta them të drejtën, nuk e kam ditur se për çfarë shërben”, thotë Mirjeta për Radion Evropa e Lirë.
“Por, edhe nuk kam pasur nevojë, sepse infermierët më kanë vizituar pa i thirrur”, tregon ajo.
Me renovimet e bëra është lehtësuar edhe puna e stafit – “për 60 për qind”, thotë mamia Hasime Kostanica.
![Mamia Hasime Kostanica duke biseduar me një nënë që ka lindur në KOGJ.](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-6bde-08dc91286125_w1534_r0_s_d2.jpg)
“Që nga përfundimi i renovimeve [më 18 qershor] unë kam bërë kujdestari tri herë dhe e kam vërejtur se puna është më e lehtë”, thotë Kostanica.
“Ka pasur raste kur pacientet i kanë humbur ndjenjat, derisa i kemi përcjellë në tualete, pasi ato kanë qenë larg nga dhomat. Tash, tualetet janë në dhoma”, tregon mamia, e cila punon në KOGJ tash e 22 vjet.
Ankesat ajo i ka për, siç thotë, stafin e pamjaftueshëm. Thotë se ka ditë kur për 30 lehona kujdesen vetëm dy infermiere apo mami.
![Infermieret dhe mamitë duke ecur në korridoret e repartit të lindjeve me prerje cezariane në KOGJ.](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-2306-08dc91284d86_w975_r0_s_d2.jpg)
Drejtori i Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, i cilëson renovimet e bëra si “standarde normale dhe të nevojshme”, si për pacientet, ashtu edhe për stafin.
“Janë përmirësuar dukshëm kushtet e qëndrimit në klinikë e në dhoma. Nuk do të ketë më dhoma me gjashtë shtretër. Tash, dhomat janë vetëm me nga dy shtretër”, thotë Ndrejaj, duke përmendur vetëm një nga investimet e bëra.
![Një dhomë e zakonshme e re me dy shtretër në repartin e lindjeve normale në KOGJ.](https://gdb.rferl.org/01000000-0a00-0242-37b1-08dc9128749b_w1534_r0_s_d2.jpg)
Renovimet në katër repartet e KOGj-it janë bërë me buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë kushtuar rreth 2.5 milionë euro dhe kanë zgjatur rreth pesë muaj.
Zotimet janë se renovime do të bëhen edhe në shtatë repartet e tjera të KOGJ-it.
Sipas drejtorit Ndrejaj, ato që janë bërë tashmë, do të mundësojnë edhe disa shërbime të tjera në KOGJ, përfshirë atë për zbulimin e anomalive kromozomike, të defekteve gjenetike e të tjera.
![Një shtrat i vogël për foshnja të porsalindura. Nga një i tillë gjendet pranë secilit shtrat nëpër dhoma.](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-d8b6-08dc9128812d_w2395_r0_s_d2.jpg)
Në KOGj, brenda 24 orësh, lindin rreth 30 foshnja. Gjatë gjithë vitit të kaluar kanë lindur rreth 8 mijë.