Një i vdekur nga shpërthimi i një cisterne në Pejë

Një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një cisterne që ka ndodhur sot në një pompë të derivateve në Pejë.

“Një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit dhe një tjetër është dërguar për trajtim mjekësor, por lëndimet e tij nuk janë serioze. Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit, kryeprokurori, policia dhe të gjitha organet kompetente”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi për RTK.

Sipas tij, viktima dyshohet se është i moshë 45 vjeçare, ndërsa raportohet se ishte punëtor i pompës së derivateve.

Policia konfirmoi se rasti ka ndodhur rreth orës 09:40.

“Rreth orës 09:40 kemi pranuar informatën për një shpërthim, dyshohet se ka shpërthyer një cisternë në pompë të derivateve. Jemi në vendin e ngjarjes, ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar”, ka njoftuar policia.

Go to TOP