Ngrohja e Antarktidës shumë më e shpejtë se sa ishte parashikuar

Antarktida është duke u ngrohur dyfish më shumë se pjesa tjetër e botës dhe më shpejt se sa e kishin parashikuar ekspertët e klimës. E kjo do të thotë rritje të mëdha të niveleve detare.

Shkencëtarët e klimës kanë pritur prej kohësh që rajonet polare do të ngroheshin më shpejt se pjesa tjetër e planetit, fenomen i njohur si amplifikimi polar.

Dr Mathieu Casado, autori kryesor i studimit, tha se ata kishin gjetur “prova të drejtpërdrejta” se Antarktida po i nënshtrohej amplifikimit polar.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh një ngrohje kaq të dukshme në Antarktidë, përtej ndryshueshmërisë natyrore”, tha ai.

Casado dhe kolegët ekzaminuan 78 bërthama akulli të Antarktidës që mbajnë rekord të temperaturës dhe më pas i krahasuan ato temperatura me modelet dhe vëzhgimet klimatike.

Hulumtimi, i botuar në revistën “Nature Climate Change”, zbuloi se Antarktida po ngrohej me një normë midis 0.22C dhe 0.32C për dekadë, krahasuar me 0.18C për dekadë të parashikuar nga modelet klimatike.

Dr Sarah Jackson, eksperte e bërthamës së akullit në Universitetin Kombëtar Australian, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, tha se gjetjet ishin “thellësisht shqetësuese”.

“Të gjitha parashikimet tona për rritjen e ardhshme të nivelit të detit përdorin këto ritme të ulëta të ngrohjes. Modelet tona mund të nënvlerësojnë humbjen e akullit që mund të marrim”, tha ajo.

Dr Danielle Udy, një shkencëtare klimatike dhe eksperte e akullit në Universitetin e Tasmanisë, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, tha se hulumtimi është kryer në kohën e duhur “duke pasur parasysh ngjarjet ekstreme që kemi parë në Antarktidë”.

Dr Kyle Clem, një shkencëtar në Universitetin Victoria të Wellington në Zelandën e Re, ka studiuar temperaturat e larta në një stacion moti në polin jugor.

“Implikimet e këtij studimi janë të një rëndësie të veçantë për marrjen në konsideratë të ndryshimeve të ardhshme në akullin detar të Antarktidës, ekosistemet tokësore dhe detare, dhe potencialisht edhe rritjen e nivelit të detit”.

“Nëse në Antarktidë po ndodh tashmë përforcim polar antropogjen, që tejkalon atë të simuluar nga modelet klimatike, atëherë ngrohja e ardhshme ka të ngjarë të jetë më e madhe se ajo e parashikuar”, tha Clem.

Ngrohja më e madhe mund të çojë gjithashtu në shkrirjen më të madhe të rafteve të akullit bregdetar që mbrojnë akullnajat. 

Go to TOP