Nga 30 mijë në 55 mijë vizitorë: Sunny Hill po e çonturizmin e Kosovës në një nivel tjetër
Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Petrit Hasanaj
Rritja rekord e turistëve në vitin 2025, strategjitë e reja të promovimit dhe një festival që gjeneron miliona euro për ekonominë vendase po e pozicionojnë Kosovën si destinacionin më të ri kulturor të Ballkanit.
Pavarësisht se Kosova nuk ka bregdet dhe turizëm detar, vendi po shënon rritje të dukshme të numrit të turistëve. Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se në qershor 2025 vizitorët e përgjithshëm në hotele u rritën me 12.8%, ndërsa net-qëndrimet me 15.9% krahasuar me qershorin e vitit 2024. Kjo tendencë pozitive vazhdon nga muaji maj, ku turistët e huaj ishin 37,300 – një rritje prej 19.3% krahasuar me majin e vitit të kaluar (31,268). Numri total i vizitorëve në hotele (vendorë + të huaj) arriti në 61,931, që përfaqëson një rritje prej 20.1% nga 51,568 në maj 2024.
Kjo rritje nuk është rastësore. Ajo lidhet me disa faktorë kyç që po e formësojnë zhvillimin e sektorit turistik në vend:
• Promovimi aktiv dhe pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare ka ndihmuar në përmirësimin e imazhit të Kosovës si destinacion turistik dhe ka hapur rrugë për të tërhequr vizitorë nga tregje të ndryshme.
• Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024–2030 ka vendosur fokus në përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e politikave të qëndrueshme, duke krijuar bazë të fortë për zhvillim afatgjatë.
• Evenimente të mëdha si Sunny Hill Festival kanë shërbyer si magnet i fuqishëm kulturor dhe ekonomik, duke kombinuar artin me zhvillimin ekonomik dhe promovimin global të vendit.
Nëse ndalemi dhe analizojmë të dhënat përfituesve nga Sunny Hill Festival, atëherë ato na japin këtë pasqyrë:
• 2019: Rreth 30,000 vizitorë (35% nga jashtë), ndikim ekonomik prej rreth 10 milionë €.
• 2022: Rikthim i fuqishëm pas pandemisë me 45,000 vizitorë (45% të huaj), të ardhura prej 20 milionë €.
• 2024: 50,000 vizitorë (43% të huaj), 22 milionë € përfitime ekonomike.
• 2025: Rekord i ri me 55,000 vizitorë (44% të huaj), 23 milionë € ndikim ekonomik.
Këto shifra dëshmojnë se Sunny Hill Festival ka arritur të kombinojë muzikën dhe kulturën me përfitime të prekshme ekonomike, duke e pozicionuar Kosovën si një nga destinacionet më tërheqëse të rajonit.
Kosova po përjeton një rritje të qëndrueshme të turizmit duke u mbështetur në promovim aktiv, strategji afatgjata dhe evente të mëdha kulturore. Sunny Hill Festival ka treguar se ngjarjet ndërkombëtare mund të jenë motorë të fuqishëm për zhvillimin ekonomik, rritjen e imazhit ndërkombëtar dhe zgjerimin e ofertës turistike. Ky kombinim i faktorëve po e pozicionon vendin si një pikë referimi për turizmin kulturor në rajon.
