Negociatori ukrainas thotë se ka “përparim real” në bisedimet dyditore me SHBA-në

Një negociator i lartë ukrainas tha se zyrtarët amerikanë dhe ukrainas kanë bërë “përparim të vërtetë” gjatë bisedimeve dyditore, teksa Uashingtoni po shtyn përpara një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës të Rusisë në Ukrainë dhe Kievi po përballet me vështirësi që të shmangë një marrëveshje që do ta favorizonte Moskën.

“Gjatë dy ditëve të fundit, negociatat Ukrainë-SHBA kanë qenë konstruktive dhe produktive dhe është arritur përparim i vërtetë”, shkroi në X Rustem Umerov, që është pjesë e ekipit të udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelensky, në bisedimet në Berlin.

Ukrainasit u takuan me të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit rus, në Berlin.

Amerikanët “po punojnë jashtëzakonisht në mënyrë konstruktive për të ndihmuar Ukrainën që të gjejë një rrugë drejt një marrëveshjeje të paqes që është e qëndrueshme”, shkroi Umerov. “Ne shpresojmë se do të arrijmë një marrëveshje që do të na sjellë më pranë paqes deri në fund të ditës”, shtoi ai, duke mos sqaruar nëse e kishte fjalën shprehimisht nëse sot priste të arrihej një marrëveshje.

Zelensky pritet të takohet me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë në Berlin më vonë gjatë 15 dhjetorit, teksa edhe udhëheqës të tjerë evropianë marrin pjesë, si dhe shefi i NATO-s. Reuters citoi një zëdhënës të Qeverisë gjermane të ketë thënë se emisarët evropianë po ashtu janë të përfshirë.

Ende nuk ka ndonjë deklaratë nga zyrtarët amerikanë pas ditës së dytë të bisedimeve.

Sipas raportimeve mediave, delegacionet e SHBA-së dhe Ukrainës nuk kanë arritur marrëveshje për një çështje kyç: fatin e pjesëve të mëdha të terrorit ukrainas, veçmas në pjesën e Donjeckut që është nën kontrollin e forcave të Kievit pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për të marrë Donbasin, që përbëhet nga rajonet Luhansk dhe Donjeck.

Duke cituar një zyrtar të paidentifikuar që tha se ka njohuri për këtë temë, Reuters raportoi se pala ukrainase i tha palës amerikane se çështja e territorit mbetej e pazgjidhur më 15 dhjetor dhe se nevojiteshin diskutime të mëtejshme. Sipas këtij zyrtari, negociatorët amerikanë kishin këmbëngulur më 14 dhjetor që Ukraina të pranonte të tërhiqte trupat e saj nga rajoni i Donjeckut.

Një ditë më parë, Zelensky dhe të dërguarit amerikanë zhvilluan negociata më shumë se pesë orë në Berlin, duke mos dhënë sinjale për ndonjë rezultat, por duke paralajmëruar se bisedimet do të vazhdonin të hënn.

“Përfaqësuesit kanë zhvilluar diskutime të thella sa i përket planit 20-pikësh për paqe, për agjendën ekonomike edhe më tepër. Është arritur shumë përparim dhe do të ketë takim sërish nesër në mëngjes”, ka thënë i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff përmes një postimi në X – dikur Twitter, më 14 dhjetor.

Negociatat e Zelenskyt me zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë synojnë ndaljen e luftës së Rusisë në Ukrainë, që ka nisur pothuajse katër vjet më parë. Ky është konflikti më i përgjakshëm në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Para nisjes së takimeve, Zelensky ka sugjeruar se Ukraina do të heqë dorë nga aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO, në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë.

Megjithatë, heqja dorë nga NATO-ja nuk është vendim i lehtë për Zelenskyn, pasi anëtarësimi në aleancë është synim i përfshirë në Kushtetutën e Ukrainës.

“Prej fillimit, dëshira e Ukrainës ka qenë t’i bashkohet NATO-s, këto janë garanci reale të sigurisë”, ka thënë Zelensky në përgjigjen ndaj një gazetari.

“Disa partnerë prej Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nuk e përkrahin këtë drejtim. Prandaj, garancitë bilaterale të sigurisë në mes të Ukrainës dhe SHBA-së, garanci të stilit të Artikullit 5, dhe garancitë e sigurisë nga kolegët evropianë, si dhe nga shtetet tjera – Kanadaja dhe Japonia – janë mundësi për të parandaluar një tjetër pushtim rus”, ka thënë ai.

“Ky është tashmë kompromis nga ana jonë”, ka thënë ai, duke shtuar se çdo garanci e sigurisë duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme.

Në mesin e kërkesave kryesore të Moskës është që Kievi të mos anëtarësohet kurrë në aleancën ushtarake perëndimore. Shumë vende anëtare të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara e kanë përjashtuar mundësinë e hyrjes së Ukrainës në aleancë, të paktën në kushtet aktuale.

Moska i nënvlerëson bisedimet në Berlin

Moska, në anën tjetër, e ka nënvlerësuar rëndësinë e bisedimeve në Berlin, pasi palët vazhdojnë të mos pajtohen për çështje territoriale dhe garanci të sigurisë.

Prezenca e Witkoffit – i cili i ka udhëhequr negociatat me Kievin dhe Moskën lidhur me propozimin amerikan – është parë si sinjal që Uashingtoni pret përparim drejt përfundimit të luftës.

Në nëntor, Shtetet e Bashkuara e kanë publikuar një plan 28-pikësh të paqes, që kritikët besojnë se është në favor të Rusisë. Kievi dhe aleatët evropianë kanë tentuar ta modifikojnë propozimin për t’i pasur parasysh nevojat e Ukrainës.

Zyrtarët kanë thënë se plani është rishkruar në 20 pika, ndonëse hollësitë nuk janë bërë të ditura.

“Plani nuk do të jetë diçka që të gjithë e pëlqejnë”, u ka thënë Zelensky gazetarëve para nisjes së bisedimeve.

“Ka natyrisht shumë kompromise në pikat e planit”.

Megjithatë, ka pak indikacione që Rusia do të jetë në të njëjtën linjë. Duke folur për një television rus më 14 dhjetor, Yuri Ushakov, ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Putin për politikë të jashtme, ka thënë se ndryshimet e propozuara në planin amerikan për paqe “vështirë se do të jenë konstruktive”.

Rusia, Ukraina i vazhdojnë sulmet

Teksa vazhdojnë përpjekjet diplomatike, Ukraina dhe Rusia i kanë vazhduar sulmet.

Një sulm rus me dron në një qendër tregtare në Zaporizhja i ka plagosur gjashtë persona, përfshirë një fëmijë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se sulmet me dron e kanë goditur një depo nafte në rajonin Volgograd dhe një rafineri tjetër nafte në rajonin Krasnodar.

Zelensky ka thënë se rusët i kanë nisur më shumë se 1.500 dronë dhe 46 raketa të llojeve të ndryshme kundër Ukrainës këtë javë.

“Rusia është duke e zvarritur luftën dhe synon të shkaktojë sa më shumë dëm që është e mundshme kundër njerëzve tanë”, ka thënë mes tjerash ai.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.


Go to TOP