Në pranga disa mjekë serbë nga Serbia e Kosova, jepnin ilaçe të rrejshme
Autoritetet në Serbi kanë zbuluar dy grupe të ndërlidhura kriminale, që përbëheshin nga mjekë të Qendrës Shëndetësore të Gushtericë së Graçanicës, dhe farmacistë të disa qendrave të Serbisë, të cilët përshkruanin receta të rrejshme, për hormonin e rritjes.
Sipas urdhrit të Prokurorisë Publike të Serbisë, pas procedurës para hetimore, sot janë privuar nga liria pesë persona, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bashkëpunuar në veprat penale, Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe keqpërdorim të pozitës së personit përgjegjës.
Bëhet fjalë për dy grupe të lidhura kriminale të organizuara që kanë vepruar në periudhën nga 22 nëntori 2018 deri më 22 korrik 2021, një grup prej të cilëve përbëhej nga mjekë nga Graçanica, dhe tjetri nga farmacistët nga Beogradi, Kragujevaci dhe Mitrovica e Sremit.
Grupi i parë i organizuar kriminal (mjekët) u jepte receta për barna të hormonit të rritjes pacientëve të cilët nuk kishin nevojë për terapi të tilla, ndërsa grupi i dytë i farmacistëve, i zbatonin recetat e mjekëve, duke i marrë barnat në barnatore në territorin e Serbisë dhe duke ua shitur pacientëve, njoftojnë mediat serbe.
Në këtë mënyrë, të dyshuarit në mënyrë të kundërligjshme kanë përvetësuar rreth 650 mijë euro.
