Ndihmëstrajneri te Arsenal merr drejtimin e Parma

Klubi italian i Serie A, Parma, ka konfirmuar emërimin e ish-ndihmëstrajnerit të Arsenal, Carlos Cuesta, si trajner të parë të ekipit.

Njëzet e nëntë vjeçari spanjoll do ta marrë drejtimin për herë të parë në karrierën e tij si trajner i ekipit të parë.

Cuesta, i cili ka nënshkruar kontratë dyvjeçare, do të zëvendësojë Cristian Chivu, i cili u largua këtë muaj për t’u bashkuar me Inter.

Me këtë emërim, Cuesta bëhet trajneri më i ri në pesë ligat kryesore të Evropës. Për pesë vitet e fundit, ai ka qenë krahu i djathtë i Mikel Arteta te Arsenal.

Pasi kishte vendosur në moshë të re që të ndiqte rrugën e trajnerit dhe jo atë të futbollistit, Cuesta mori shansin e parë me ekipet zinxhir të Atletico Madrid. Pas katër vitesh atje, ai udhëtoi nëpër Evropë për të studiuar metodat moderne të stërvitjes.

Gjatë kësaj periudhe, Cuesta u takua me Mikel Arteta, atëherë pjesë e stafit teknik të Pep Guardiola te Manchester City. Pas një periudhe dyvjeçare me akademinë e Juventusit, ai iu bashkua Arsenal në vitin 2020.

Cuesta ka luajtur një rol kyç në ngritjen e Arsenal si pretendent për titull, i njohur për bisedat individuale me lojtarët dhe përqendrimin në zhvillimin teknik e taktik të tyre.


Go to TOP