Ndërroi jetë gjashtë javë pasi u lëndua në vendin e punës

Ka vdekur edhe një person, i cili ishte lënduar në vendin e tij të punës. Ngjarja ka ndodhur me 13 tetor, ku ishte raportuar se viktima, në vendin e punës, kishte pësuar lëndime të rënda.

Nga ajo kohë, ai ishte në trajtim mjekësor në Qendren Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Megjithatë, sipas informacionit zyrtar nga Policia e Kosovës, i njëjti të hënën e 28 nëntorit, ka ndërruar jetë, raporton RTKlive.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rastet e lëndimeve të rënda ose vdekjeve si pasojë e aksidenteve të ndryshme në vendin e punës janë të shpeshta në Kosovë.

Më 20 nëntor, një person ka vdekur në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, derisa ishte duke punuar.

Policia ka njoftuar të dielën se viktima është rrëzuar derisa ishte duke i kryer disa punime dhe si pasojë e lëndimeve të rënda ka vdekur, raporton RTKlive.

Gjithashtu, me 5 nëntor, një person ka vdekur në Milloshevë, në vendin e tij të punës. Lajmi ishte konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Ndërkohë, edhe me 8 tetor, një person ka vdekur në Prizren pasi ka rënë nga një objekt, derisa ishte duke punuar, kishte bërë të ditur Policia e Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, kanë ndodhur 11 raste të vdekjeve si pasojë e aksidenteve, në vendin e punës.

Go to TOP