NATO: Retorika bërthamore ruse është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme

NATO kritikoi Rusinë për retorikën e saj të “rrezikshme dhe të papërgjegjshme bërthamore”, një ditë pasi që presidenti rus Vladimir Putin tha që Rusia do të “stacionojë” armë bërthamore taktike në Bjellorusi, raporton Reuters.

Zëdhënësi i NATO-s tha se “NATO-ja me kujdes po përcjell situatën, dhe se është e brengosur për retorikën e rrezikshme dhe të papërgjegjshme bërthamore të Rusisë”.

“Nuk kemi parë ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë, që do të na bënte të rregullonim tonën”, shtoi zëdhënësi i Aleancës Veri-Atlantike.

Sipas tij, “përmendja e Rusisë për ndarjen bërthamore të NATO-s është krejtësisht e gabuar. Aleatët e NATO-s veprojnë në respekt të plotë të detyrimeve të tyre ndërkombëtare”.

“Rusia në mënyrë të përsëritur shkel detyrimet e saj për kontrollin e armëve, dhe kohët e fundit pezulloi pjesëmarrjen e saj në Traktatin e New START”, tha për fund zëdhënësi i NATO-s. /Kosova.info/

Go to TOP