Nagelsmann: Një pikë e merituar ndaj një kundërshtari të fortë

Pas barazimit 1:1 me Zvicrën në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Euro 2024, trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, shprehu kënaqësinë e tij me performancën e skuadrës dhe me rezultatin e arritur, i cili ia siguroi vendin e parë në grup.

Ai vlerësoi lojën taktike të ekipit dhe rëndësinë e lojtarëve që mund të ndryshojnë ndeshjen kur hyjnë nga bankina.

Nagelsmann e cilësoi barazimin si një pikë të merituar për ekipin e tij. “Në fund, është një pikë e merituar. Sigurisht, në kundërsulme merr rreziqe dhe mund të pësosh gol. Ne bëmë mirë që u rikthyem. E meritonim të barazonim”, tha ai. Gjermania arriti të rikthehej në lojë pas një goli të hershëm të Zvicrës, duke treguar rezistencë dhe vendosmëri.

Trajneri gjerman nuk kurseu lëvdata për kundërshtarët e tyre. “Zvicra ishte një kundërshtar i madh, ishte një ndeshje argëtuese. Bëmë punë të mirë taktikisht”, u shpreh Nagelsmann.

Ishte Niclas Füllkrug, i cili hyri nga bankina për të barazuar rezultatin dhe nuk munguan lëvdatat për të nga trajneri. “Ai shënoi përsëri – një gol i mirë. Është i rëndësishëm për ne. Jemi të lumtur që kemi një lojtar të tillë që mund ta sjellim nga bankina në lojë”, tha Nagelsmann.

Ai theksoi rëndësinë e analizës së kundërshtarëve dhe zgjedhjen e formacionit të duhur. “Është e rëndësishme të kesh lojtarë që mund të shënojnë gola vendimtarë duke ardhur nga bankina. Ne analizojmë kundërshtarët për të zgjedhur formacionin fillestar dhe pastaj mund të inkuadrosh lojtarë të ndryshëm nga bankina” shpjegoi ai.

Go to TOP