Nagavci për përzgjedhjen e Hajrullahut si rektor i UP-së: Proces meritokrat
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se përzgjedhja e profesorit Arben Hajrullahu si rektor i Universitetit të Prishtinës ka qenë i bazuar në një proces transparent dhe me meritokraci.
“Tashmë kemi arritur të krijojmë një praktikë që do të transformojë rrënjësisht mënyrën e zgjedhjes së Rektorit, mbarëvajtjen e punës dhe avancimin e performancës në Universitetin e Prishtinës. Mbështetja jonë për UP-në do të vazhdojë ngase ky institucion e meriton të shndërrohet në mjedis akademik ku mbizotëron cilësia intelektuale”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje Nagavci ka falënderuar rektorin e deritanishëm, Qerim Qerimi, Këshillin Drejtues të UP-së për kontributin në zgjedhjen e procesit si dhe kolegët e tjërë akademik.
“Pres që rektori Hajrullahu të punojë pa kompromis për shkencën e universitetin. Universitetit të Prishtinës e rektorit të ri u dëshiroj punë të mbarë e suksese”, ka shkruar ajo. /Kosova.info/