Mustafa: Në vitin 2017 larguam ministrat që u zgjodhën deputetë për të shmangur shkeljen e Kushtetutës

Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kujtuar kohën kur ai liroi nga detyra ministrat që u zgjodhën deputetë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve në vitin 2017.

Mustafa përmes një reagimi në Facebook në situatën e ngërçit politik të krijuar në vend, tha se këtë veprim e ndërmori që të mos krijohet shembull i shkeljes së Kushtetutës, transmeton KosovaPress.

“Në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të Kryeministrit, që sot është kryetar i Odës së Avokatëve , në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë lirova nga detyra një zëvendës kryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit. Qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; dr. Kujtim Shala, dr, Avdullah Hoti, dr. Enver Hoxhaj, dr, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, dr, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri. Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Mustafa thotë se Qeverisë në detyrë do duhej t’i lejonte vetes veprime antikushtetuese dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit.

“Në fakt, çdo njëri prej tyre kërkoi që mandati i tij/i saj në qeveri të mos bie në mospërputhshmëri kushtetuese me mandatin legjislativ, edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bënë ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtroj pozita ekzekutive dhe ato legjislative. Këtë e tha edhe Gjykata Supreme para disa ditësh. Qeveria në detyrë nuk duhet ti lejojë vetes veprim antikushtetues dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit. Sidoqoftë brishtësia e fuqisë pushtetore provohet më së miri kur të biesh nga pushteti. Atëherë jo vetëm se do duhej dhënë përgjegjësi për veprime jo legale dhe jo legjitime por edhe të pret përgjegjësia individuale para ligjit për pasojat e krijuara nga mospërfillja e gjyqësorit”, përfundoi ai.

Kujtojmë që konstituivi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar në 49-të seanca, teksa nesër do të zhvillohet seanca e 50-të.

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese u ka lënë hapësirë 30 ditë deputetëve për konstituivin e Kuvendit, teksa ky afat përfundon në fund të muajit ende nuk dihet se cili do të jetë skenari tjetër në rast dështimi.

Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP