Musmurati në Parlamentin Evropian: Alarm për prirjet autoritare dhe rënien e lirive në Kosovë
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besiana Musmurati, ka folur në Parlamentin Evropian në kuadër të një konference të organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe, ku ka ngritur shqetësime serioze për zhvillimet demokratike në Kosovë.
Në fjalën e saj, Musmurati theksoi domosdoshmërinë e monitorimit të rreptë të asaj që ajo e cilësoi si tendenca autoritare të qeverisë së fundit duke paralajmëruar për instalimin e një mendësie të rrezikshme qeverisëse në vend.
Ajo vuri në pah minimin e rendit kushtetues duke theksuar se janë regjistruar mbi 15 shkelje të Kushtetutës, me synimin që institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore të shndërrohen në vegla për përndjekjen e kundërshtarëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile.
Musmurati foli edhe për rënien e lirisë së medias duke thënë se sulmet sistematike ndaj gazetarëve dhe tentativat për mbylljen e mediave e kanë zbritur Kosovën në nivelet më të ulëta historike, sipas vlerësimeve të organizatës ndërkombëtare “Reporters Without Borders”.
Një tjetër shqetësim i ngritur ishte presioni mbi gjyqësorin, ku sipas saj, ndërhyrjet direkte dhe linçimet publike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve po e cenojnë rëndë shtyllën kryesore të shtetit të së drejtës.
Në përmbyllje, Musmurati theksoi se Republika e Kosovës është arritja më e madhe historike e qytetarëve të saj dhe se liria brenda saj është po aq e shenjtë sa vetë shteti duke nënvizuar se rruga e Kosovës duhet të mbetet ajo e vlerave perëndimore dhe e lirisë, e jo e autoritarizmit. /Kosova.info/
