Musliu: Sot u bënë 8 vjet prej kur Vetëvendosje ushtroi dhunë ndaj ambasadores amerikane

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka nisur ditën duke kujtuar një ngjarje të tetë viteve më parë.

Musliu në profilin e saj në Facebook ka shkruar se sot janë bërë 8 vite prej kur Lëvizja Vetëvendosje ka ushtruar dhunë ndaj ish-ambasadores amerikane, Tracey Ann Jacobson.

Ganimete Musliu ka thënë se LVV-ja dikur nuk kishte kursyer asgjë për të ardhur në pushtet, derisa, sot nuk po kursejnë asgjë për ta shkatërruar shtetin.

Philip Kosnett në vitin 2013-të e kishte publikuar në Twitter fotografinë e Jacobson, ku shihej me lëndime në krah.

Ndërkohë, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje e kishin mohuar çdo mundësi që ish-ambasadorja amerikane të ketë pësuar çfarëdo lëndimi nga protestuesit e atëhershëm.

 Nga kjo lëvizje kishin thënë se sigurimi i ambasadores Jackobson dhe organet e rendit janë ata që mbajnë përgjegjësi për lëndimin e lehtë të ambasadores.

“Lëndimet që ia bën sigurimi ambasadores, nuk mund t’i bartë Vetëvendosja. Nuk e kuptoj pse ambasadorja është dashur të futet përmes rrugëve anësore, qorre të cilat nuk ekzistojnë. Futja e ambasadores ka qenë e rrethuar me policinë e Kosovës dhe truprojat e saj personale”.

“As edhe një aktivist, e ka pas edhe të pamundur, edhe po të kish tentuar, edhe pse nuk ka tentuar, që ta prekë ambasadoren dhe për këtë ka dëshmi. Nëse kërkohet që Vetëvendosja të distancohet nga lëndimet që i ka shkaktuar sigurimi i saj, kjo është e pakuptimtë, sepse ne nuk kemi pas asnjë qëllim që të lëndojmë dikë”, kishin thënë nga LVV-ja.

Go to TOP