Musliu: Përmes lirisë së shprehjes përhapet municion propagandistik

Agim Musliu, njohës i çështjeve të sigurisë, si dhe drejtori i Institutit Octopus, ka deklaruar se në adresë të tijin personal dhe në atë të Institutit Octopus, janë mësyrë në dy raste të ndryshme dezinformata.

Sipas tij, këto dezinformata burimin e kanë në Beogradin zyrtar dhe shërbimet e tyre të inteligjencës.

Musliu, në rrjetin social Facebook, shkruan se “postierë shqiptarë” kanë provuar që të sjellin në institutin Octopus, me qëllim publikimi, të ashtuquajtura dokumente komprometuese për figura të rëndësishme të vendit tonë.

“Dokumentet kanë qenë në gjuhën serbe dhe te shkruara me tendencë, ku shihet dukshëm qëllimi i dëmtimit të Kosovës. Normalisht që ne në institutin OCTOPUS e njohim edhe qëllimin edhe metodën e operimit të serbëve nga Beogradi, dhe nuk mund të bimë pre e këtyre mashtrimeve, por jemi shqetësuar sepse kemi të dhëna se “postierët shqiptarë” të Beogradit po provojnë që materiale të tilla t’ua shpërndajnë adresave të tjera, si në media, ashtu edhe te disa organizata”, ka shkruar Musliu.

Tutje ai bën të ditur se Instituti OCTOPUS do të përpiqet që, në radhë të parë, të kontribuojë për sigurinë dhe do ta ruajë integritetin profesional.

“Do të kujdesemi për të ashtuquajturën “Liri e shprehjes”, përmes së cilës shpesh përhapet municion propagandistik”, ka shkruar në fund Musliu. /Kosova.info/

Go to TOP