Mushkolaj: Vuçiqit nuk i kanë konvenuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës
Disa sulme të njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare në veri të vendit në ditët e fundit po shihen si alarm serioz për sigurinë e Kosovës.
Analisti Imer Mushkolaj tha se ngjarjet e fundit në veri nuk janë duke i konvenuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk besoj se në këtë kohë këto ngjarje i konvenojnë Vuçiqit. Më tepër besoj se ngjarjet iu konvenojnë grupeve serbe me sentiment pro-rus në Serbi. Rusia kohëve të fundit nuk është shprehur e kënaqur me Serbinë. Vet zyrtarët rus pozicionin e Serbisë e kanë konsideruar neutral për krizën në Ukrainë. Sot për sot Beogradit nuk i konvenojnë trazirat në veri të Kosovës. Kur i kanë konvenuar ai ka shkaktuar trazira siç ishte bllokimi i veriut të Kosovës para disa muajve”, tha ai.
Ai thotë se megjithatë Serbia mund të ndryshojë qasje nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për targa nga fundi i javës.
Mushkolaj mbështet pozicionin e Kosovës për të qenë të kujdesshëm në këtë kohë duke mos shkaktuar më shumë trazira.
“Mos të harrojmë se Vuçiqi kohëve të fundit e ka paraqitur veten te ndërkombëtarët si paqësor, derisa Kosovën dhe Kurtin si iniciues të incidenteve të ndryshme”, deklaroi Mushkolaj.
Comments