Murtezaj kritikon udhëheqësjen e LDK-së për mungesë takimesh të Këshillit të Përgjithshëm dhe deficit të demokracisë
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Valon Murtezaj ka reaguar ashpër ndaj udhëheqjes aktuale të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke akuzuar për mosthirrje të takimeve të Këshillit të Përgjithshëm dhe për deficit të përgjegjësisë demokratike brenda partisë. Sipas tij, nga 28 maji 2024 e deri sot nuk është mbajtur asnjë takim i këtij këshilli, çka ka penguar vendimmarrjen mbi situatën politike dhe funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Murtezaj vlerëson se kjo ka bllokuar mundësinë që anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të kontribuojnë në përcaktimin e qëndrimeve të partisë, bazuar në orientimet kryesore politike dhe në statutin e LDK-së. Ai e konsideron këtë si një mungesë lidershipi, e cila ka pasoja për qeverisjen e vendit duke vënë në dukje se Kosova po përballet me një krizë të thellë institucionale dhe politike.
Ai rikujton se themeluesit e LDK-së, përfshirë Presidentin historik Ibrahim Rugova, krijuan partinë si një forcë për liri, demokraci dhe shtetndërtim duke e udhëhequr Kosovën drejt pavarësisë dhe integrimit evropian. Murtezaj thekson se fryma e Rugovës dhe parimet e demokratike duhet të mbeten udhërrëfyes për udhëheqësit e sotëm: vendimet duhet të merren në forume statutare, në shërbim të qytetarëve dhe jo për interes personal apo profiterizëm.
Ai përfundon mesazhin me një thirrje për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë duke theksuar se kjo është përgjegjësia kryesore e LDK-së dhe e çdo lideri të saj. “Demokracia marshon dhe atë nuk mund ta ndalë askush. Zoti e bekoftë lirinë dhe demokracinë në Kosovën europiane. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës,” tha Murtezaj.
Reagimi i tij vjen në një moment kritik, teksa LDK përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit dhe për diskutime për koalicionet dhe listat e kandidatëve.
