Muharremi për Kurtin: Fjalimi skandaloz, po e çon LVV-në drejt opozitës
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj fjalimit të fundit të kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një turpërim për Vetëvendosjen dhe votuesit e saj.
Sipas Muharreimit, çdo kryeministër që fiton zgjedhjet ka për detyrë të përçojë mesazhe bashkimi dhe uniteti, jo të ofendojë qytetarët. “Të dalësh dhe t’i quash njerëzit ‘hajvana’ është e paprecedentë dhe e papranueshme,” thekson ai.
Ai pyet nëse ka dikush brenda Vetëvendosjes që mund t’i thotë Kurtit të vërtetën për sjelljet e tij. “Me këtë qasje, ai po sillet si një opozitar i rrugëve. Por ajo kohë ka kaluar,” shton Muharremi, duke paralajmëruar se LVV rrezikon të mbetet në opozitë, pasi askush nuk do të pranojë një koalicion me dikë që i ofendon publikisht.
Në përmbyllje, ai thekson se nëse Kurti synon të krijojë qeverinë e re, duhet një ndryshim drastik në sjelljen e tij politike. “Nëse jo, LVV po shkon drejt opozitës me garanci të lartë,” përfundon Muharremi. /Kosova.info/
