Muharremi: Partitë e djathta po e çojnë Kosovën drejt humnerës me mosbashkëpunimin e tyre
Analisti politik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj partive të djathta në Kosovë duke i akuzuar se po sillen si spektatorë në një kohë kur vendi po përballet me pasoja serioze nga mosveprimi politik.
Në një deklaratë të tij, Muharremi tha se ndërsa BE ka vendosur masa dhe ka ndalur mbështetjen për projekte, e SHBA ka pezulluar Dialogun Strategjik, partitë e djathta në Kosovë vazhdojnë të shohin interesat e ngushta personale e partiake, në vend se të ofrojnë alternativën e duhur.
“Ju partitë e djathta, mos u mashtroni me bashkëpunu e me ofru ndryshim drejtimi dhe alternativë për Kosovën. Vazhdoni me shiqu si spektatorë masa e sankcione nga BE e ndalimet e dialogjeve strategjike, sikurse sot, nga SHBA. Kqyreni ju interesin personal dhe të partive tuaja, qajo është më rëndësi,” tha ai me tone ironike.
Muharremi paralajmëroi se një sjellje e tillë vetëm sa e thellon copëtimin e bllokut të djathtë dhe e shtyn vendin drejt krizës edhe më të madhe. Sipas tij, nëse partitë vazhdojnë të veprojnë secila më vete, ato rrezikojnë ta çojnë Kosovën “drejt humnerës”.
Ai theksoi se përgjegjësia për gjendjen aktuale nuk qëndron vetëm mbi kryeministrin Albin Kurti dhe Vetëvendosjen, por edhe mbi partitë e djathta që, sipas tij, po heshtin dhe nuk po ndërmarrin veprime për të sjellë ndryshimin e domosdoshëm.
“Faji sot nuk është veç i Albin Kurtit dhe LVV-së. Faji është edhe i juaji, pse po heshtni, dhe nuk po bëni asgjë, nuk po bashkëpunoni me sjellë ndryshim, aq shumë të nevojshëm dhe thelbësor,” përfundoi ai. /Kosova.info/
