Muharremi: Ligjet europiane nuk mjaftojnë – duhen përshtatur me kulturën dhe realitetin tonë

Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur një çështje të ndjeshme në debatin publik rreth funksionalitetit të shtetit dhe ligjshmërisë në Kosovë. Në një reagim të fundit, ai thekson se megjithëse shpesh krenohemi me ligjet “europiane”, ato shpesh nuk përputhen me kulturën, mentalitetin dhe gjendjen socio-ekonomike të shoqërisë sonë.

“I kemi ligjet e mira, janë europiane”, kujton Muharremi deklaratat që dëgjohen prej vitesh në diskursin politik dhe institucional, por shton: “Po a janë të përshtatshme për kulturën e shoqërinë tonë? A po e shihni si po bllokohemi secilën herë?”

Ai thekson se problemi nuk qëndron te hartimi dhe miratimi i ligjeve, por te zbatimi i tyre në praktikë – aty ku përplasen me realitetin e përditshëm të vendit. Sipas tij, kultura jonë ende nuk është e përgatitur për një zbatim të drejtë, të barabartë dhe të rreptë të ligjeve që burojnë nga një standard tjetër shoqëror.

“Ligj i mirë është ai që merr parasysh kontekstin lokal. Nuk ka sukses me ‘copy-paste’ ligje nga jashtë. Duhet me mendu, me lodhë trunin pak, se cila mënyrë është më e përshtatshme për ne”, përfundon Muharremi.

Kjo deklaratë hap sërish debatin për nevojën që reformat ligjore dhe institucionale në Kosovë të mos jenë vetëm teknike dhe formale, por të jenë të ndërtuara mbi baza të mirëfillta shoqërore dhe kulturore, në mënyrë që të jenë të zbatueshme dhe të kenë efekt të vërtetë. /Kosova.info/


Go to TOP