Muharremi: LDK-ja duhet ta marrë përgjegjësinë për rezultatin, jo ta shmangë fajin
Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër reagimet e fundit të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) pas rezultatit zgjedhor duke vlerësuar se përpjekjet për të shmangur përgjegjësinë janë të pakuptimta dhe të dëmshme për partinë.
Në një reagim publik, Muharremi tha se LDK-ja ka dërguar përfaqësues në studio televizive për disa net radhazi me qëllim që të deklarojnë se partia nuk mban përgjegjësi për rezultatin zgjedhor. Sipas tij, kjo qasje është absurde, pasi përgjegjësia bie pikërisht mbi menaxhmentin dhe ekipin drejtues të partisë.
“Kur rezultati është i keq, menaxheri dhe ekipi drejtues duhet ta marrin përgjegjësinë. Nëse këtë nuk e kupton, atëherë nuk kupton asgjë,” ka deklaruar Muharremi duke theksuar se nuk mund të ketë “kujdestarë fajtorë” apo justifikime të tjera për një dështim zgjedhor.
Ai paralajmëron se vazhdimi i kësaj qasjeje do ta çojë LDK-në drejt rënie edhe më të madhe elektorale duke ironizuar se partia mund të përfundojë me përqindje njëshifrore. Sipas Muharremit, as këshillat dhe as kritikat konstruktive nuk po dëgjohen nga drejtuesit aktualë të partisë.
“Reflektimi zakonisht vjen kur bëhet vonë, por atëherë mund të jetë tepër vonë për partinë,” ka shtuar ai duke theksuar se kombinimi i humbjes me krenari dhe arrogancë është i papranueshëm dhe i dëmshëm për çdo subjekt politik.
Në përfundim, Shenoll Muharremi bën thirrje për përgjegjësi, reflektim dhe ndryshim të qasjes brenda LDK-së, nëse kjo parti synon të rikthejë besimin e qytetarëve dhe rolin e saj në skenën politike të vendit. /Kosova.info/
