Muharremi: Kurti po e refuzon realitetin, LVV nuk do të rritet më në zgjedhjet e ardhshme

Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) duket se ka nisur një fushatë të re zgjedhore duke promovuar arritjet e saj të mëparshme dhe duke paraqitur “zotime” të reja, ndonëse vendimi për certifikimin e rezultateve ende nuk është marrë.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po manovron mes dy opsioneve: të formojë qeverinë me pakicat dhe të sigurojë mbështetje nga ndonjë deputet i opozitës, ose të çojë vendin në zgjedhje të reja shumë shpejt.

Muharremi thekson se kjo po ndodh në një kohë të krizës energjetike dhe të faturave të larta, për të cilat qeveria nuk po tregohet e interesuar të ofrojë ndihmë për qytetarët dhe bizneset. Ai paralajmëron se rritja e mundshme e çmimit të energjisë mund të sjellë një valë tjetër inflacioni duke përkeqësuar situatën ekonomike.

Duke analizuar skenarët politikë, Muharremi argumenton se epoka e mbështetjes mbi 50% për LVV ka përfunduar dhe se kjo parti nuk ka gjasa të rritet më në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, zgjidhja më e mençur për Kurtin dhe LVV është të pranojnë realitetin dhe të hyjnë në bashkëpunim e kompromise me të tjerët.

“Kurti nuk po e pranon këtë realitet të ri, po e zvarrit. Si thuhet, mund të ikësh, por jo të fshihesh. Është më mirë të ballafaqohen sfidat tani sesa të shtyhen për më vonë, kur ato do të jenë edhe më të vështira për t’u zgjidhur,” ka deklaruar Muharremi.

Ai përfundon se nëse Kurti vazhdon të refuzojë bashkëpunimin, atëherë koha do t’ia mësojë se LVV nuk do të rritet më, por do të vijojë të tkurret derisa të kalojë në opozitë dhe të mos jetë më forca kryesore politike në vend. /Kosova.info/


Go to TOP