Muharremi ironizon ministrin: Me ChatGPT po i bën politikat, prandaj ekonomia është llugë

Analisti i ekonomisë, Shenoll Muharremi, ka ironizuar ashpër deklaratat e ministrit Murati, i cili kishte lënë të kuptohet se po përdor ChatGPT për të analizuar dhe vërtetuar fakte. Muharremi ka reaguar në rrjete sociale duke kujtuar paralajmërimin e vetë Sam Altman, themeluesi i OpenAI, i cili kishte thënë se ChatGPT mund të gabojë dhe të shpikë fakte – një dukuri e njohur si “hallucination”.

“Nuk shkoj as një javë që Sam Altman (themeluesi i OpenAI) tha: mos i besoni ChatGPT, se mundet me shpik fakte, me gabu, ose edhe ta jep apo gjeneru përgjigje të gabuara. HALUCINON ChatGPT, tha Sam. E sot, ministri po na tregon si me ChatGPT po i bojka punët e po i vërtetojka faktet. Aavavava”, shkruan Muharremi me ironi.

Ai e lidh këtë sjellje me gjendjen e rëndë të ekonomisë në Kosovë duke e quajtur “llugë” dhe duke e fajësuar paaftësinë institucionale për të kuptuar si funksionon inteligjenca artificiale dhe cilat janë kufizimet e saj.

“Nuk është larg mendësh që edhe ekonominë e kemi llugë, se ministrat i gjenerojnë me ChatGPT politikat publike, pa kuptu si funksionon dhe si i gjeneron outputin AI. E qartë pse na kanë shku importet e deficiti në qiell”, vazhdon Muharremi.

Ai shton se kjo qasje e papërgjegjshme po dëmton jo vetëm vendin, por edhe vetë partinë në pushtet, Vetëvendosjen.

“Po kuptohet pse gjithashtu LVV po bën gabim pas gabimi e po e dëmton jo vetëm Kosovën por edhe vetën. Ministri me ChatGPT po i bojka politikat ekonomike dhe strategjinë e LVV-së”, përfundon reagimin e tij Muharremi. /Kosova.info/


Go to TOP