Muharremi: Albin Kurti e ka futur vetën dhe LVV-në në kurth politik
Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje ndodhen në një situatë të ndërlikuar politike, si rezultat i strategjisë “O krejt, o asgjë”, që sipas tij ka prodhuar izolim dhe paaftësi për të ndërtuar institucione, pavarësisht mbështetjes masive në zgjedhje.
“Si është e mundur të fitosh 42.3% të votave dhe të mos arrish të krijosh institucione? Kjo ndodh për shkak të lakmisë për pushtet absolut dhe keqkuptimit të votës së qytetarëve,” tha Muharremi.
Ai thekson se Kurti po has vështirësi për t’u përshtatur me realitetin e ri politik, i cili kërkon marrëveshje, bashkëpunim dhe qeverisje të përbashkët. Nëse kjo nuk ndodh, sipas Muharremit, atëherë opozita për Vetëvendosjen është e garantuar.
“Sa më shumë që LVV vonohet në përshtatje dhe në gjetjen e një zgjidhjeje, aq më e dobët bëhet pozita e saj politike. Mos të harrojmë që LVV është në proces të tkurrjes, ndërsa PDK dhe LDK janë në rritje,” shtoi ai.
Muharremi paralajmëron se nuk ekziston më një realitet ku Kurti dhe LVV mund të qeverisin vetëm. Sipas tij, ajo kohë ka kaluar dhe nuk do të kthehet më. “Sistemi politik i Kosovës funksionon vetëm kur ka ekuilibër dhe balancë – dhe fatmirësisht ky sistem është në proces të korrigjimit,” përfundoi ai.
Koha, sipas Muharremit, nuk po punon më për Vetëvendosjen. /Kosova.info/;
