Muharremi: 16 euro në llogari të kryeministrit nuk është normale për një shtet serioz
Analisti ekonomik Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj raportimeve për gjendjen financiare personale të kryeministrit duke e cilësuar si shqetësuese simbolikën e një figure të tillë publike me vetëm 16 euro në llogari bankare.
Sipas Muharremit, një situatë e tillë nuk është tipike për një vend serioz dhe ngre pikëpyetje mbi standardet e menaxhimit personal dhe mesazhin që përcillet te qytetarët. Ai thekson se, në çdo rast, një gjendje e tillë financiare për një udhëheqës shteti nuk përfaqëson stabilitet minimal ekonomik.
Në analizën e tij, Muharremi e lidh këtë situatë me qasjen më të gjerë politike dhe ekonomike duke sugjeruar se ajo mund të interpretohet si populizëm ose si mungesë e planifikimit financiar personal. Ai ngre dilema edhe për ndikimin që një qasje e tillë mund të ketë në zhvillimin e sektorit privat dhe klimën e biznesit në vend.
Sipas tij, sfidat ekonomike të Kosovës, përfshirë rritjen e importeve dhe inflacionin, kërkojnë lidership me qasje më të qëndrueshme financiare dhe institucionale. /Kosova.info/
